Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 37-vjeçar të dënuar më parë në Greqi për vjedhje, i cili akuzohet për disa raste grabitjesh në kryeqytet. Arrestimi i tij u bë pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Saga”, të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë numër 2. Sipas hetimeve, ky person më 8 nëntor ka vjedhur 12 milionë lekë në një banesë në rrugën “Artan Lenja”, ndërsa më 19 tetor ka kryer një tjetër vjedhje me thyerje në një kioskë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, duke marrë produkte me vlerë rreth 50 000 lekë.