Dy persona janë arrestuar në fshatin Llakatund të Vlorës për kultivim të lëndëve narkotike dhe për posedim të armëve të zjarrit. Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar "Llakatundi", ku janë arrestuar Hamdi Torraj 40 vjeç dhe Artur Ballesha 50 vjeç, banor të fshatit, ku sekuestruar dy armë zjarri kallashnikov, si dhe ka asgjësuar fidanë kanabis sativa. Sipas njoftimit të policisë në vijim të kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative Policia ka evidentuar dhe asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, të cilat ishin kultivuar në pronën e dy të arrestuarve, në fshatin Llakatund.