Serbia ka rritur këto vitet e fundit shpenzimet e saj ushtarake, cka mund të shihet si një paralajmërim serioz për rajonin e ballkanit perëndimor, sipas ekspertëve të cituar nga radio Evropa e Lirë. Ky vend, që nuk është anëtar i NATO-s por është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, bleu së fundmi raketa balistike supersonike nga Kina duke u bërë fuqia e parë në Evropë e pajisur me raketat ajër-tokë CM-400AKG, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. “Kemi bërë me sukses integrimin e raketave kineze në avionët rusë MiG-29 të gjeneratës së katërt. Këta janë sot ndër avionët më të mirë në Evropë e ndoshta edhe në botë. Raketat ajër-tokë nënkuptojnë goditjen e objektivave në tokë dhe kanë fuqi shkatërruese”, tha Vuçiç disa ditë më parë. Reagimet ishin të shumta nga fqinjët që luftuan kundër Serbisë gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990. Kroacia, sot anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, e konsideroi blerjen e raketave kineze si kërcënim për stabilitetin rajonal ndërsa Kosova akuzoi Serbinë për tendenca hegjemoniste ndaj fqinjëve. Këto dy vende, së bashku me Shqipërinë, nënshkruan në mars 2025 një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, që Vuçiç e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Serbisë, sepse sipas tij “nuk ekziston asnjë arsye tjetër për bashkimin e tyre, përvecse Serbia”. “Ne po përgatitemi për sulmin e tyre. Ata nuk synojnë të mbrohen, por të sulmojnë. Po formojnë aleancë ushtarake për të na sulmuar”, tha Vuçiç teksa fliste për raketat kineze në Radio-Televizionin e Serbisë. Ai nuk paraqiti asnjë provë për këto pretendime, të cilat Zagrebi, Prishtina dhe Tirana i hedhin natyrisht poshtë. Por tha vetëm se forcat e armatosura serbe kanë në dispozicion edhe armë të tjera të sofistikuara, që nuk mund të bëhen publike. Për njohësit e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, këto mesazhe dërgojnë sinjale frike dhe pasigurie në rajon, rrisin perceptimin e kërcënimit dhe shtyjnë vendet fqinje drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse. Kjo dinamikë, sipas tyre, mund të shndërrohet lehtësisht në një spirale të re armatimi, ku çdo veprim prodhon kundërveprim dhe tensionet vetëm rriten.