Erion Veliaj depozitoi kallëzim penal për falsifikimin dokumentesh pasi një dëftesë njoftimi gjyqësor, e administruar në dosjen e gjykatës së posaçme të apelit, figuron të ketë një nënshkrim në emër të Veliajt, por kryebashkiaku thotë se kjo firmë nuk është e tij. Kallëzimi është depozituar pranë prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm në Tiranë dhe atij i janë bashkëngjitur edhe verifikimet zyrtare të cilat tregojnë se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, ku Veliaj mbahet i paraburgosur. Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht në formë shkresore, dhe serviret si provë se për aq kohë sa nuk ka mbërritur, është e pamundur të jetë firmosur nga Veliaj i cili ndodhet në kushtet i izolimit. Në kallëzim thuhet se: “mungesa absolute e njoftimit real dhe ekzistenca e një dëftese me nënshkrim jo autentik përbëjnë provë të drejtpërdrejtë të falsifikimit të aktit të komunikimit, me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.”