Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë ukrainasve që të përgatiten për sulme të tjera të mundshme ruse mbi infrastrukturën e energjisë, ndërsa kryebashkiaku i Kievit ka paralajmëruar banorët e kryeqytetit të shqyrtojnë mundësinë e largimit të përkohshëm pasi ekziston mundësia që të mbeten tërësisht në terr dhe pa ujë të pijshëm. Gjatë fjalimit të përnatshëm të tij, Zelensky tha se Rusia po “përqendron trupat dhe mjetet e saj për sulme të reja masive ndaj infrastrukturës ukrainase. Pikë së pari ndaj energjisë”. Mbi 4.5 milionë konsumatorë kanë mbetur pa energji, shtoi ai, mes shqetësimeve se mbështetja për Ukrainën mund të zbehet pasi ndikimi i luftës në çmimet e energjisë dhe ushqimit vazhdon edhe gjatë dimrit.