Rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën ndaj kriminalitetit kanë një rol thelbësor në drejtim të përqasjes së prioriteteve e objektivave mes ekzekutivit dhe prokurorisë duke mundësuar kështu menaxhimin e duhur të kapaciteteve njerëzore e teknike në funksion të përmbushjes së tyre. Paraqitja e tyre nga Ministria e Drejtësisë në këtë takim me drejtuesit e prokurorisë përbën një moment domethënës ku shfaqet vullneti i përbashkët për ndërmarrjen e angazhimeve në rang institucional për koordinimin e veprimtarisë në luftën ndaj krimit. Duke i konsideruar këto rekomandime si një moment kyç në drejtim të qasjes strategjike që institucionet duhet të kenë në goditjen e krimit, vitin e kaluar ndërmorëm masa konkrete për të rikonceptuar modelin tonë të veprimit në këtë aspekt.