Gjykata e Posaçme thirri këtë të martë për të dëshmuar grupin prej dhjetë deputetësh të Partisë Demokratike, që kanë firmosur më herët një kallëzim penal kundër ish kryetares së komanduar të Bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj. Por, nga grupi i deputetëve firmëtarë të kallëzimit vetëm katër prej tyre dëshmuan. Ata ishin Gazment Bardhi, Elda Hoti, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati. Katër deputetët i qëndruan kallëzimit, duke deklaruar se ai kishte marrë shkas pas një denoncimi publik në media, teksa i takon prokurorisë që të verifikojë vërtetësinë e akuzave. Kallëzimi lidhet me një tender për ndërtimin ndërtimin e një ure pranë shtëpisë së motrës, urë që nuk ishte parashikuar në procedurën fillestare. Sipas dosjes së SPAK, kryetarja e komanduar e bashkisë ka ndërhyrë te ndërtuesit duke ndryshuar projektin gjatë zbatimit të tij. Për 6 deputetët që nuk u paraqitën në gjyq, mes të cilëve edhe Flamur Noka, mbrojtja u tërhoq nga kërkesa për dëshminë e tyre.