Bisedimet trilaterale mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara kanë përfunduar ditën e dytë në Abu Dhabi, ku palët zhvilluan diskutime të drejtpërdrejta për përfundimin e luftës në Ukrainë. Takimi u organizua nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat pritën delegacionet e tre vendeve dhe u angazhuan si ndërmjetës në dialogun diplomatik. Sipas autoriteteve amerikane, dita e parë e bisedimeve u vlerësua si “produktive”, ndërsa detajet e plota të raundeve të diskutimeve pritet të bëhen publike më vonë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se është ende herët për përfundime, por e cilësoi takimin si një moment të rëndësishëm, pasi një format i tillë trilateral nuk është zhvilluar prej kohësh. Ai theksoi se çështja kryesore e negociatave mbetet ajo territoriale, veçanërisht rajoni i Donbasit. Autoritetet ukrainase konfirmuan se diskutimet janë përqendruar në mënyrat për t’i dhënë fund luftës dhe në vijimësinë e procesit negociues, ndërsa Rusia vijon të mos heqë dorë nga pretendimet e saj saj territoriale. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë luajtur më herët një rol kyç në ndërmjetësimin e konfliktit, duke realizuar 17 shkëmbime të të burgosurve mes dy vendeve që nga nisja e luftës në shkurt të vitit 2022.