Është mbajtur në Gjenevë të Zvicrës raundi i dytë i bisedimeve indirekte mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, me synim zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi programin bërthamor të Teheranit. Para nisjes së bisedimeve, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se beson që Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje. Ai e cilësoi procesin si shumë të rëndësishëm, duke paralajmëruar për pasoja në rast të dështimit të negociatave Nga ana tjetër, Teherani zyrtar u shpreh se qëndrimi i Uashingtonit duket se ka lëvizur drejt një pozicioni më realist. Sipas Iranit, takimi i ndërmjetësuar nga Omani do të fokusohet edhe në mundësinë e heqjes së sanksioneve ekonomike amerikane. Bisedimet zhvillohen në një kohë kur Uashingtoni ka shtuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke rritur më tej tensionet në rajon.