Presidenti Donald Trump i tha CNN në një intervistë telefonike që zgjati nëntë minuta se ushtria amerikane po “e masakron” Iranin, por “vala e madhe” ende nuk ka ardhur. “Po i masakrojmë”, i tha Trump CNN. “Mendoj se po shkon shumë mirë. Është një goditje shumë e fuqishme. Kemi ushtrinë më të mirë në botë dhe po e përdorim atë.” Trump trajtoi një gamë të gjerë temash në intervistë, duke përfshirë kohëzgjatjen e pritur të konfliktit, habinë e tij nga hakmarrja e Iranit dhe planin e pritshëm të trashëgimisë së vendit. Për sa i përket kohëzjatjes së luftës, presidenti tha: “Nuk dua ta shoh të zgjasë shumë. Gjithmonë kam menduar se do të jetë katër javë. Dhe kemi ende kohë”. I pyetur nëse SHBA-të po bëjnë më shumë se sa një sulm ushtarak për të ndihmuar popullin iranian të rimarrë kontrollin e vendit të tyre nga regjimi, Trump tha: “Po. Por tani për tani duam që të gjithë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Nuk është e sigurt atje jashtë. Do të bëhet edhe më keq. As që nuk kemi filluar t’i godasim fort. Vala e madhe as nuk ka ardhur. Ajo do të vijë së shpejti”, tha Trump. Për udhëheqësit arabë, që e kanë gjetur veten po ashtu nën goditjet e Iranit, Trump tha, “I njoh këta njerëz. Janë të fortë dhe të zgjuar”. Iranianët, tha ai, “qëlluan një hotel, qëlluan një pallat. Kjo thjesht i zemëroi. Ata na duan, por po shikonin. Nuk kishte arsye që të përfshiheshin. Sulmi i iranit ndaj tyre ishte ndoshta surpriza më e madhe”. I pyetur për vizionin për të ardhmen e Iranit, Trump tha: Nuk e dimë se cili do të jetë lidershipi i ardhshëm. Nuk e dimë se kë do të zgjedhin. Ndoshta do zgjedhin dikë që e di se cfarë po bën. Sipas trump, regjimi iranian humbi shumë në sulmet fillestare. “Plot 49 persona”, tha ai, “Ishte një sulm i mahnitshëm”.