Kandidati i pritshëm republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, është jashtë rrezikut, pas disa të shtënave me armë zjarri që ndodhën teksa fliste në një tubim në Pensilvani. Shërbimi Sekret bëri të ditur se një person u vra në audiencë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë. Agjentët e vranë sulmuesin në vendngjarje, thuhet po ashtu në komunikatë. Trump u qëllua me një plumb që i "shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë". Pas ngjarjes, trump falënderoi Shërbimin Sekret dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit për "reagimin e tyre të shpejtë". "Është e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë", tha ai dhe i shprehu ngushëllime familjes së personit të vrarë në tubim.