Presidenti amerikan Donald Trump, tha se do të flasë me presidentët e Rusisë dhe Ukrainës të hënën pas bisedimeve mes dy palëve, në të cilat një zyrtar ukrainas tha se negociatorët e Moskës shprehën kërkesa të reja përpara se të arrihej një armëpushim. Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha agjencive ruse të lajmeve se po bëheshin përgatitje për një bisedë mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe Trump. Bisedimet në Turqi të premten ishin hera e parë që palët zhvilluan bisedime ballë për ballë që nga marsi 2022, javë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Një zyrtar i lartë ukrainas i njohur me bisedimet tha se negociatorët rusë kërkuan që Ukraina të tërhiqte trupat e saj nga të gjitha rajonet ukrainase të pretenduara nga Moska përpara se të bien dakord për një armëpushim.