Një tragjedi e rëndë është regjistruar në brigjet greke, ku 22 emigrantë humbën jetën pasi qëndruan për gjashtë ditë në det të hapur në një gomone në përpjekje për të arritur në Evropë. Sipas rojes bregdetare greke, mjeti lundrues ishte nisur nga porti i Tobrukut në Libi më 21 mars. Ndërkohë, 26 persona arritën të shpëtohen nga një anije e agjencisë evropiane të kufirit, ndërsa dy prej tyre u transportuan në spital për ndihmë mjekësore. Sipas autoriteteve, viktimat humbën jetën si pasojë e kushteve të vështira, mungesës së ushqimit dhe ujit, si dhe motit të keq. Në lidhje me këtë tragjedi, dy të rinj nga Sudani i Jugut janë arrestuar nën akuzën për trafikim njerëzish. Ngjarja nxjerr në pah rreziqet e larta të kalimeve të paligjshme në Mesdhe, ku Greqia mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes.