Policia e Kosovës ka njoftuar për të shtëna me armë në veri të vendit në mbrëmjen e 23 shkurtit, në afërsi të pikë kontrollit në Zveçan, ku ata ishin duke qëndruar. Sipas policisë, zyrtarët policorë kanë shkuar në vendin e ngjarjes “ku kanë gjetur nëntë gëzhoja të armës së gjatë por nuk kanë mundur të gjejnë ndonjë person të dyshuar”. Përmes një njoftimi për media, policia e cilësoi këtë incident si “sulm kundër rendit kushtetues”. Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, kanë qenë shënjestër e sulmeve të ndryshme që nga fillimi i këtij viti.