Banorët e prekur nga projekti “TID Durrës” kanë dalë me një deklaratë të përbashkët publike, ku shprehin pakënaqësinë e tyre pas takimit me kryeministrin Edi Rama dhe Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako. Sipas tyre, gjatë diskutimit u bë e qartë se projekti do të realizohet pa asnjë ndryshim, pavarësisht kundërshtimeve të ngritura nga komuniteti. Në deklaratë thuhet se alternativat e paraqitura për banorët janë pranimi i një çmimi shpronësimi disi më të lartë, zhvendosja në zona periferike të përcaktuara nga institucionet, ose sistemimi i tyre në një objekt të vetëm të përzgjedhur nga Bashkia. Banorët e kundërshtojnë këtë qasje, duke e cilësuar procesin të njëanshëm dhe pa dakordësi reale me ta. Ata pretendojnë se projekti përmban mangësi dhe shkelje procedurale, duke përmendur prona të papërfshira në listën e shpronimeve apo raste pa ekspertizë të saktë. Sipas tyre, çmimi referencë është vetëm një “çmim dysheme”, ndërsa propozimet e bëra deri tani mbeten në nivel deklarativ dhe të padakordësuara me komunitetin.