Mëngjesin e së hënës në Portin e Durrësit ka mbërritur jahti “Opera”, i cili ndodhet në pronësi të Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, Ministër i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe anëtar i familjes mbretërore. “Opera” është ndërtuar në vitin 2022 nga kompania gjermane Lürssen dhe ka një gjatësi prej rreth 146 metrash. Vlera e tij vlerësohet në afërsisht 450 milionë dollarë. Sipas burimeve nga autoritetet portuale, arsyeja kryesore e ndalesës në Durrës është furnizimi me karburant. Jahti do të furnizohet me rreth 320 mijë litra naftë, me një çmim prej 1 euro për litër. Nga kjo shumë, 20 lekë për litër shkojnë në buxhetin e shtetit shqiptar. Porti i Durrësit përdoret herë pas here nga mjete të këtij lloji për furnizim, për shkak të pozicionit të tij në rajon dhe kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve teknike të nevojshme për lundrim.