Në Auditoriumin e Forcave të Armatosura në Tiranë u promovua këtë të shtunë vëllimi i pestë i kolanës “Skënderbegasit ndër vite…”, në kuadër të 81-vjetorit të themelimit të Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”. Vepra e autorëve Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla vjen pas një pune të gjatë kërkimore, e mbështetur në dokumente arkivore dhe dëshmi të vetë protagonistëve. Ky volum sjell risi në mënyrën e paraqitjes, duke përfshirë dokumente origjinale, mes tyre edhe akti me firmën e kryeministrit të kohës për mbylljen e shkollës. Në të përfshihen materiale të papublikuara më parë për periudhën 1945–1947, kur u hodhën bazat e institucionit dhe u përcaktuan kriteret e formimit të “skënderbegasve”. Libri pasqyron kujtime, portrete dhe dëshmi të nxënësve, mësuesve e drejtuesve të parë, si dhe rrugëtimin e shumë ish-studentëve, brenda dhe jashtë vendit. Një pjesë e veçantë i kushtohet edhe kontributit të ish-skënderbegasve në periudha kyçe historike, përfshirë përgatitjen e drejtuesve të UÇK-së, që nga Adem Jashari e deri te Hashim Thaçi. Vëllimi i pestë, në vijim të katër të mëparshmëve, plotëson historikun e kësaj shkolle elitare, e njohur si “fidanishte e ushtrisë”, duke sjellë një panoramë të plotë të rolit dhe kontributit të saj në historinë ushtarake dhe kombëtare shqiptare. Ccdo faqe e kapitull i përafron lexuesit me një copëz historie, duke u kthyer në një vepër që do të shërbejë në gdhendjes e historisë ndër breza.