Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, deklaroi të mërkurën se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi "është marrëveshja më e mirë në dispozicion". Por përfaqësuesi amerikan pranoi se gjasat për njohjen e Kosovës nga Serbia"nuk janë shumë të mëdha" tani, për shkak të qëndrimit të Serbisë, por kujtoi se plani i BE-së është i përkohshëm. "Është një marrëveshje e përkohshme, dhe SHBA-ja qëndron fuqishëm prapa saj dhe me një pozicion që e kemi mbajtur prej vitesh, se presim marrëveshje përfundimtare, me njohjen reciproke në qendër. Ky është objektivi. Kjo na çon shumë më afër njohjes", tha Hovenier.