Vendimi i qeverisë për të mbyllur aplikacionin e TikTok për një vit mund të vihet në zbatim përmes disa metodave teknologjike që pamundësojnë në masë aksesimin e këtij aplikacioni brenda Shqipërisë, por nuk e bëjnë atë krejt të pamundur. Metoda e parë është bllokimi i aksesit përmes ofruesve të Shërbimit të Internetit. Qeveria mund të urdhërojë ofruesit e shërbimeve të internetit në Shqipëri që të bllokojnë aplikacionin e kompanisë kineze duke ndaluar trafikun drejt domain-eve dhe serverave të TikTok. Kjo realizohet përmes bllokimit të domain-it të TikTok apo përmes bllokimit të adresave IP të serverave që përdoren nga TikTok.