Shqipëria vijon përpjekjet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, teksa tashmë pikësynim mbetet viti 2023. Në këtë kuadër Ministria e Jashtme ka shpallur thirrje për 11 pozicione vakante pune, për ekspertë shqiptarë nga vendi por edhe ata që jetojnë e punojnë në emigrim. “Në kuadrin e zhvillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të integrimit të përshpejtuar, mbështetur në nenin 31 të Ligjit 23/2015 “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, dhe VKM nr. 345, dt. 24.4.2020 në zbatim të tij, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, shpall thirrjen për shprehjen e interesit për profesionistë dhe ekspertët shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, për të qenë pjesë e ekipit të Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, në Bruksel, Belgjikë.”, thuhet në thirrjen në fjalë.