Raporti mes ofertës dhe kërkesës për punë në Shqipëri po përmbyset me shpejtësi dhe bizneset po përballen gjithnjë e më shumë me vështirësi për të gjetur punonjës të rinj nga një bazë që vazhdon të tkurret. Raporti i Bankës Botërore ‘Drejt punëve më të mira’, (Towards Better Jobs) tregon se punësimi në vendin tonë mbetet i brishtë dhe i ngritur mbi baza të paqëndrueshme. Banka Botërore ka analizuar tregun në 15 vite, nga viti 2010 deri në vitin 2024. Ajo thotë se vendet e reja të punës në Shqipëri janë nxitur nga zgjerimi i aktivitetit ekonomik të bizneseve, por se sidomos pas pandemisë nuk ka ndodhur e njëjta gjë me bazën e burimeve njerëzore, që është tkurrur me shpejtësi.
 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						