Numri i kompanive, që operojnë me material porositësi në fushën e tekstileve dhe këpucëve, sa vjen e po reduktohet, për shkak të falimentimeve masive të tyre dhe ato që vazhdojnë po e tkurrin ndjeshëm aktivitetin. Sipas Shoqatës së Eksportuesve në pak ditë kanë mbetur pa punë gati 1 mijë punonjës dhe numri i tyre pritet të shtohet. Shoqata e Eksportuesve thotë se kompanitë po mbyllen për shkak se partnerët, kryesisht italianë, po zhvendosen në vendet ku kosto e prodhimit është më e lirë, si psh Tunizia apo Egjipti. Sipas saj, arsyeja kryesore që ndikoi në rritjen e kostos është zhvlerësimi i euros, që automatikisht ka shtrenjtuar kostot e prodhimit me 17%, krahas pagave më të larta.