Zona e Astirit në Tiranë do të ketë shumë shpejt një shkollë të re 9-vjeçare, me parashkollor, të dizajnuar nga arkitekti i njohur italian, Stefano Boeri. Shkolla, e cila po ndërtohet afër rrethrrotullimit “Shqiponja”, do të mbajë emrin e gazetarit dhe publicistit, Andrea Stefani, i ndarë papritur nga jeta në vitin 2016. Ajo do t’u shërbejë mbi 1 mijë nxënësve të komunitetit të Astirit dhe Doganës dhe është një kërkesë e hershme e banorëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se 2021 do të jetë viti rekord i hapjes së shkollave të reja. Kjo shkollë, bashkë me institucionet e tjera arsimore që po ndërtohen në Kodër-Kamzë dhe në “Don Bosko”, pritet t’i japë zgjidhje nevojave të këtyre zonave.