Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin italian Michele D’Angelo, profesor biologjie në Itali, i akuzuar si shkaktari i aksidentit rrugor që la pas një viktimë më 8 gusht, në aksin Fier–Levan. Sipas hetimeve, automjeti me targa të huaja i drejtuar nga shtetasi italian është përplasur me një automjet tip “Mercedes Benz”, ku udhëtonin anëtarët e një familjeje nga Patosi. Menjëherë pas përplasjes, i pandehuri u larguaa nga vendngjarja, duke shmangur sipas prokurorisë, përgjegjësinë administrative dhe penale. Aksidenti rezultoi fatal për një 15-vjeçar, i cili ndërroi jetë dy ditë më pas në spitalin e Traumës. Tre persona të tjerë, një i mitur, drejtuesi i automjetit dhe një pasagjer tjetër mbetën të plagosur, një prej tyre rëndë.