Rikthimi i reshjeve të shiut dhe dëborës në vend ka shkaktuar problematika në disa akse rrugore rurale në zonat malore të vendit. Nga qarku i Korçës, autoritetet njoftojnë vështirësi në qarkullim ne akset drejt Libonikut e Voskopojës, ku këshillohet qarkullimi me goma dimri dhe zinxhirë, ndërsa në aksin Maliq-Gramsh, dalja nga shtrati e dy përrënjëve ka bllokuar me inerte rrugën. Autoritetet njoftojnë se po punohet për pastrimin e plotë të segmentit, ndërkohë që reshjet e borës kanë nisur pa krijuar probleme madhore deri më tani. Në akset Korçë–Ersekë, Zemblak–Goricë dhe Bilisht–Miras, reshjet janë me intensitet të ulët dhe mesatar. Reshjet e dëborës janë rikthyer edhe në zonat malore të qarkut të Elbasanit, por me intensitet të ulët e mesatar, pa shkaktuar probleme në qarkullim.