Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në pikën e fundit përfshin zotimin për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara Kosovë-Serbi, e që nënkupton që Prishtina zyrtare duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kjo çështje u bë shkak për një debat të ashpër në parlamentin e Kosovës tre ditë më parë ku dy partitë kryesore opozitare PDK dhe LDK, akuzuan kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili sipas tyre nga deklarimet e tij të mëhershme për "një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ka sjellë "një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër”.