Shantazhet përmes rrjeteve sociale vijojnë të mbeten një fenomen shqetësues, pavarësisht rasteve të rënda që kanë rezultuar fatale dhe thirrjeve të vazhdueshme për denoncim. Së fundmi, policia e Tiranës ka arrestuar një 37-vjeçar, i cili kërcënonte një 26-vjeçare për t’i marrë një shumë të madhe parash. Në pranga ka rënë Hasan Loku, nga Kosova, i cili sipas policisë e shantazhonte të renë përmes fotove dhe videove intime që posedonte, duke i kërkuar 100 mijë euro në këmbim të mos publikimit të tyre në rrjetet sociale. Pas presionit të vazhdueshëm, 26-vjeçarja ka vendosur të denoncojë rastin, duke çuar në arrestimin e tij. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.