Një ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh. Arbnor Spahiu është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë, ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci në një postim në facebook. Ai ka shkruar se ndonëse Spahiu ka tre vite që nuk është pjesë e policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, është marrë në pyetje për rastin Banjska. Kosova e konsideron këtë sulm terrorist dhe akuzon shtetin e Serbisë për organizimin dhe kryerjen e tij. Radio Evropa e Lirë thotë se i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të marrë më shumë informacione për këtë rast, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Avokati Koci ka pretenduar se ndalimi i Arbnorit është reagim i drejtpërdrejtë i zbulimit të Aleksandar Vllajiqit, i cili është dënuar me pesë vjet burgim nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, pasi e ka pranuar ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).