Serbët e veriut të Kosovës, të cilët kanë braktisur institucionet e Kosovës, vazhdojnë të firmosin kontratat e ofruara nga shteti i Serbisë. Në këto kontrata theksohet se punëmarrësi merr përsipër të kryejë punën për Organin e përkohshëm dhe Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, për “mbështetje të komunitetit serb” në veri të Kosovës. Në kontratë thuhet se punëmarrësi do të punojë në përputhje me “urdhrin dhe nevojën e treguar”. Megjithatë, nuk specifikohet se cilat punë do të jenë këto punë.