Një grup njerëzish nga Serbia shkaktuan trazira në Francë dhe Gjermani me urdhër të inteligjencës ruse, sipas vendimeve të gjykatave serbe, raporton REL. Sipas dokumenteve, qytetarë serbë morën pjesë në një sërë veprimesh raciste në Paris dhe Berlin në pranverën dhe verën e vitit 2025. Në fund të shtatorit të vitit të kaluar 11 shtetas serbë u arrestuan, ndërsa 4 muaj më vonë tre prej tyre u dënuan me nga gjashtë muaj deri në një vit e gjysmë arrest shtëpie. Sipas vendimeve të gjykatave serbe, në shënjestër të veprimeve të grupit ishin komunitetet fetare hebraike dhe myslimane, dhe se qëllimi i tyre ishte rritja e tensioneve në Gjermani dhe Francë. Sakaq, urdhërat, udhëzimet dhe paratë për veprimet iu dhanë grupit nga "strukturat e shërbimit të inteligjencës së Federatës Ruse". Rastet ishin hetuar më herët edhe nga autoritetet franceze dhe gjermane.