Rusia ka ndërmarrë një sulm masiv gjatë natës ndaj Ukrainës, duke lëshuar dhjetëra raketa hipersonike, balistike dhe të tipit kruz nga bombarduesit, avionët dhe anijet e saj. Në Kharkiv, në veri të vendit autoritetet raportuan 32 të plagosur, mes tyre edhe dy fëmijë, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës. Si pasojë e rrezikut të mundshëm nga prania e raketave pranë kufirit, Forcat Ajrore të Polonisë ngritën në gatishmëri të plotë avionët luftarakë dhe sistemet e mbikëqyrjes, për të shmangur incidentet në hapësirën e tyre ajrore. Për këtë arsye Polonia mbylli përkohësisht aeroportet në juglindje, “për shkak të nevojës për të siguruar lirinë operacionale të aviacionit ushtarak”. Agjencia Polake e Shërbimeve të Navigimit Ajror bëri të ditur se kjo masë është e përkohshme dhe lidhet drejtpërdrejt me situatën e krijuar pas sulmeve ruse.