Imazhe satelitore të regjistruara nga një kompani private amerikane tregojnë se Rusia ka vazhduar javët e fundit të rrisë praninë e saj ushtarake kufirin me Ukrainën si dhe në Krime, të cilën e aneksoi në vitin 2014. Ky zhvillim vjen ndërsa Moska vijon të rrisë trysninë ndaj Shteteve të Bashkuara për bisedime rreth tërheqjes së trupave të NATO nga Evropa Lindore. Imazhet e publikuara tregojnë një bazë në Krime, mbushur me qindra automjete të blinduara e tanke që nga 13 dhjetori. Në muajin tetor, baza ishte gjysmë bosh. Rusia kërkon nga NATO të ndalë zgjerimin e saj drejt lindjes dhe garanci se aleanca ushtarake perëndimore, nuk do të vendosë pajisje ushtarake sulmuese në Ukrainë apo në vendet e tjera fqinje. Kremlini përsëriti të premten se gëzon të drejtën për të lëvizur forcat e veta në territorin rus, siç e sheh të arsyeshme dhe akuzoi vendet perëndimore për zhvillimin e manovrave ushtarake provokuese pranë kufijve rus.