Rusia ka kryer sulme të mëdha ajrore ndaj infrastrukturës së Ukrainës të enjten, duke i lënë më shumë se 1 milion njerëz pa energji elektrike, në një moment kur temperaturat kanë zbritur në disa minus. Pas dëmeve të shkaktuara në infrastrukturë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, akuzoi Rusinë për përshkallëzim “të neveritshëm” të konfliktit. Nga ana tjetër presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se sulmi më i fundit ishte një përgjigje e Kremlinit ndaj sulmeve ukrainase në territorin rus me raketa amerikane me rreze të mesme veprimi, ATACMS.