Autoritetet e emëruara nga Rusia në rajonin e aneksuar të Zaporizhias, në ukrainën jugore, shpallën evakuimin e disa banorëve nga zonat pranë frontit të luftës për shkak të bombardimeve intensive. “Gjatë ditëve të shkuara, armiku ka intensifikuar bombardimin e vendbanimeve që ndodhen pranë linjës së kontaktit”, tha guvernatori i emëruar nga Moska në rajon. “Duke patur parasysh këtë, unë vendosa të urdhëroj evakuimin e fëmijëve dhe prindërve të tyre, të moshuarve, personave me paaftësi fizike, pacientëve në spitale etj, dhe vendosjen e tyre më thellë në rajon, larg vijës së frontit”, tha ai. Guvernatori pretendoi se evakuimet ishin një masë e nevojshme që kishte si qëllim të garantonte sigurinë e banorëve.