Një avion luftarak amerikan i tipit F-15E është rrëzuar mbi territorin e Iranit, duke nxitur një operacion urgjent kërkim-shpëtimi nga ana e Shteteve të Bashkuara për dy anëtarët e ekuipazhit. Ky është rasti i parë i konfirmuar i rrëzimit të një avioni amerikan mbi Iran që nga fillimi i konfliktit, shkruan AFP. Fillimisht, autoritetet iraniane pretenduan se ishte goditur një avion më i avancuar i tipit F-35 dhe se piloti mund të kishte humbur jetën. Megjithatë, ekspertët e aviacionit sqaruan se mbetjet i përkisnin një F-15E të Forcave Ajrore Amerikane. Zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmuan se avioni ishte rrëzuar dhe se Pentagoni kishte nisur menjëherë përpjekjet për të gjetur ekuipazhin, raportoi The Guardian. Deri tani, ushtria amerikane nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për incidentin. Deri më tani, gjatë pesë javëve të konfliktit, nuk ishte raportuar asnjë humbje e avionëve luftarakë amerikanë mbi Iran. Megjithatë, tre avionë F-15E u rrëzuan më 1 mars në një incident “friendly fire” nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit.