Pas pesë ditësh pa ujë të pijshëm, defekti në tubacionin kryesor të furnizimit në Vlorë është riparuar pas mesnate. Rregullimi i tubit u përfundua rreth orës 4:00 të mëngjesit, moment kur nisi edhe furnizimi i depove të qytetit. Megjithatë, furnizimi nuk po realizohet me kapacitet të plotë, pasi pajisja e re e montuar po i nënshtrohet fazës së testimit për të garantuar funksionimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit. Drejtori i ujësjellësit Vlorë Ermal Murati në një prononcim për emisionin Breaking rekomandoi që gjatë 48 orëve të para uji të mos përdoret për konsum dhe gatim.