Për të dytin vit radhazi, Ministria e Financave ka shprehur shqetësimin se kontratat koncesionare nuk po kontrollohen dhe as monitorohen sipas kritereve të përcaktuara në ligj dhe në vendimet e këshillit të ministrave. Drejtoria e Përgjithshme e Auditit në Ministrinë e Financave, thotë Monitor, ka vënë në dukje “Mungesën e monitorimit të zbatimit të kontratave koncesionare që janë në fazën e ndërtimit, ose kanë hyrë në fazën e shfrytëzimit” Në vitin 2022 janë aktive 228 kontrata koncesionare, por Financat siguruan të dhëna të pjesshme vetëm për 67 prej tyre. Shifra përputhet me të dhënat e raportit të performancës së koncesioneve të Ministrisë së Financave për vitin 2021, ku gati dy të tretat e tyre nuk janë monitoruar në përputhje me ligjin.