Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë për vendimin e Kuvendit ndaj kërkesës së SPAK, duke pohuar se është dakord 100% me parimet e shprehura prej tyre. Por edhe pse selitë diplomatike në qëndrimet e mbajtura u dukën kritikuese, Rama thotë se vendimi ishte i drejtë pasi Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion. Ai po ashtu duke iu përgjigjur dhe opozitës, thekson se shumica qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme për të anëtarësuar vendin në BE, ndërsa nënvizon se reforma në drejtësi nuk kthehet pas dhe se lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë. Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti si kjo kërkesa e sotme, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë. Rama thotë se Parlamenti tregoi dinjitet me vendimin e marrë dhe se ka respektuar të gjitha normat duke ndarë dhe kufirin mes pushteteve.