Pas arrestimeve nga Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion për Koncesionin e sterilizimit, kryeministri Edi Rama ka marrë meritat për këtë. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, numri një i qeverisë shprehet se ka qenë ai dhe qeveria e tij, që i kanë hapur rrugë drejtësisë dhe që reformuan sistemin, e për këtë me çdo kusht do të vijojnë të bëjnë gjithçka për ta çuar para. “Puna e pandërprerë e SPAK-ut dhe GjKKO edhe në gusht meriton respekt e falenderime! Me këtë rast le të rikujtojmë kush e premtoi, filloi dhe mundësoi Reformën në Drejtësi, pas një kohe të gjatë lëngimi të Shqipërisë në batakun e padrejtësisë, kur askush s’kishte guxim as ta mendonte, jo ta bënte drejtësinë të pavarur nga qeveria.”