Rama: “Sa më shumë të vdekur na duan, aq më shumë ne gjallërohemi.” Kartonat e kuq kundër kërkesës së SPAK për heqjen e lirisë së Belinda Ballukut, prodhuan reagime të njëpasnjëshme të selive diplomatike, të cilat i kujtuan Shqipërisë kërkesën e panegociueshme të Bashkimit Europian për luftën kundër korrupsionit. Një ditë pas votimit, shefi i ekzekutivit, Edi Rama u shfaq i palëkundur në qëndrimin e tij. Rama: “Deri tani nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni. Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë, interesin e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve dhe një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi, është që t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy, në të njëjtën lartësi. As unë nuk më shkon mendja të shikoj njeri nga lart-poshtë, por as nuk më shkon mendja të pranoj që të më shikojë njeri nga lart-poshtë. Është shumë e thjeshtë. Diskutimet tona kanë qenë absolutisht konstruktive. Nuk ka pasur absolutisht asgjë, jo si ato që janë thënë, por të ngjashme me ato që janë thënë, përsa i përket tensionit apo presionit, apo kërcënimit.”