Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se një sulm konvencional kundër Rusisë nga ndonjë vendi i cili mbështetet nga një fuqi bërthamore, do të cilësohet si sulm i përbashkët. Putini e tha këtë të mërkurën kur shpalosi ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë gjatë një takimi të Këshillit të Sigurisë së Rusisë në Moskë. Doktrina e tanishme bërthamore e Rusisë thotë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore në rast se armiku kryen sulm bërthamore ndaj saj, ose nëse përballet me sulm konvencional i cili e rrezikon ekzistencën e shtetit. Versioni i ndryshuar i dokumentit thotë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore si përgjigje ndaj një sulmi konvencional i cili përbën “rrezik kritik për sovranitetin tonë”, tha Putin.