Dhjetëra qytetarë në Vlorë janë ngritur në protestë, pasi prej pesë ditësh qyteti përballet me mungesën e ujit. Protesta është shoqëruar me përplasje verbale dhe fizike me forcat e policisë, ndërsa banorët kanë tentuar të futen në ambientet e brendshme të bashkisë, duke mbajtur në duar bidona bosh uji. Në sheshin përpara bashkisë është grumbulluar një numër i konsiderueshëm qytetarësh, të indinjuar nga situata e krijuar, të cilët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për furnizimin me ujë. Policia ka ndërhyrë për të penguar hyrjen e protestuesve në institucion, situatë që ka sjellë tensione. Protestat kanë nisur që mbrëmjen e djeshme, kur qytetarë të irrituar nga mungesa e ujit hynë me forcë në ambientet e Teatrit “Petro Marku”, ku Bashkia e Vlorës kishte organizuar një mbrëmje gala me rastin e festave të fundvitit. Si pasojë, aktiviteti u ndërpre, ndërsa protestuesit tentuan edhe bllokimin e bulevardit “Ismail Qemali”.