Dy masakrat e fundit kanë tronditur jo pak Serbinë, teksa opozita e vendit ka organizuar një protest të madhe mbrëmjen e të premtes. Mijëra njerëz u grumbulluan para Kuvendit të Serbisë dhe kërkuan dorëheqjen e autoriteteve më të larta shtetërore, si një akt përgjegjësie për ngjarjet e rënda të javës së kaluar. Pavarësisht masave të policisë, nuk munguan edhe disa incidente në protest, teksa për rreth dy orë, demonstruesit dolën dhe bllokuan nëj autostratë e disa rrugë të tjera. Kjo bëri që mijëra njerëz të mbeteshin të bllokuar në trafik për thuajse dy orë, deri kur liderët e opozitës bënë thirrje për shpërndarjen graduale të protestuesve. Ministria e Punëve të brendshme reagoi, duke kërcënuar se do të marrë masa ndaj organizatorëve të protestës, pasi e cilësoi vepër penale bllokimin e rrugëve. Nga ana tjetër, përfaqësues të qeverisë reaguan dhe thanë se opozita po i politizon dy ngjarjet e rënda, të cilat nuk vënë aspak në dyshim sigurinë në vend. Ata thanë se synimi i protestuesve është destabilizimi i vendit dhe rrëzimi i presidentit Aleksander Vuçiç. Pamjet: AFP