Sonte, teksa jeni mbledhur rreth tryezës festive me familjen dhe njerëzit tuaj të dashur, dëshiroj t’ju marr vetëm pak çaste për t’ju uruar përzemërsisht Vitin e Ri! Nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të parë çfarë lamë pas dhe për të projektuar shpresat tona për motmotin e ri. Kjo është, mbi të gjitha, festa e familjes. Vlerat që rriten brenda saj janë pikërisht ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri mbarë shoqërisë sonë.