Polonia dhe Italia nuk do t'i bashkohen Bordit të Paqes të Presidentit amerikan Donald Trump, thanë të mërkurën Varshava dhe Roma, duke u shtuar në listën e aleatëve të Uashingtonit që mbeten jashtë. Fillimisht i projektuar për të çimentuar armëpushimin në Gaza, Trump parashikon që Bordi i Paqes të marrë një rol më të gjerë në zgjidhjen e konflikteve globale, dhe disa vende druajnë se me këtë organ ai kërkon të rivalizojë Kombet e Bashkuara. Kjo së bashku me faktin se Rusia dhe Bjellorusia u ftuan të bashkohen, do të thotë se shumë vende perëndimore kanë ndjekur një qasje të kujdesshme. "Duke patur parasysh disa dyshime në lidhje me formën e tij, Polonia nuk do t'i bashkohet Bordit të Paqes, por ne do ta analizojmë atë," tha Kryeministri Donald Tusk në një takim qeveritar. "Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të mbeten përparësia jonë, kështu që nëse ndryshojnë rrethanat, ne nuk përjashtojmë mundësinë e bashkimit në këtë bord". Edhe Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani konfirmoi të mërkurën se Italia nuk do të bëhej pjesë e bordit. "Ne nuk mund t'i bashkohemi Bordit të Paqes sepse ekziston një pengesë kushtetuese e pakapërcyeshme nga ana e Italisë", tha ai. "Megjithatë, nëse duhet të punojmë në përpjekjet e rindërtimit që synojnë sigurimin e paqes në Lindjen e Mesme, ne jemi gati ta bëjmë këtë", shtoi Tajani.