Si të mos mjaftonte vështirësia për debutimin në Ligën e Kombeve këtë edicion, kombëtarja shqiptare do duhet të përballet edhe me një atmosferë të tendosur në kryeqytetin e Bjellorusisë për shkak të situatës politike. Që prej zbarkimit në mbrëmjen e së mërkurës, futbollistët dhe stafi të kushtëzuar nga protestat në Minsk, por gjithashtu protokolli i rreptë shëndetësor prej pandemisë, kanë patur lëvizje të kufizuara dhe lëvizja e vetme është nga hoteli drejt “Dinamo National Olympic Stadium” ku do luhet sfida mbrëmjen e së premtes. Shqipëria e trajnerit Reja kuptohet si skuadër favorite për kreun e grupit për Ligën e Kombeve, por këtë do duhet ta fitojë në fushë. Problemet burokratike dhe kufizimet kanë reduktuar listën e teknikut që tani duhet të improvizojë formacionin.