Pas 27 vitesh në kërkim, policia e shtetit në bashkëpunim me Policinë Italiane kanë arrestuar në Itali, dy vëllezërit Artur Mehilli, 60 vjeç, dhe Arben Mehilli, 54 vjeç, të dënuar në mungesë nga drejtësia shqiptare, për vrasjen e një shtetasi për motive hakmarrjeje. Sipas policisë, në vitin 1999, në Lushnjë dy vëllezërit vranë me armë zjarri shtetasin R. M., i cili në vitin 1997 kishte vrarë vëllanë e tyre. Të arrestuarit të dënuar me 32 vite burgim gjithësej, pas kryerjes së krimit, janë larguar në Itali duke përdorur pasaporta me gjeneralitete false, nëpërmjet të cilave kishin siguruar dokumentet e nevojshme për qëndrim në Itali. Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2001, i ka dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe armëmbajtje pa leje. Identifikimi i tyre u realizua falë përdorimit të teknologjisë “Facial Recognition”, tashmë në dispozicion të Interpol Tiranës. Autoritetet shqiptare vijojnë bashkëpunimin me homologët italianë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të dy shtetasve, në Shqipëri.