Tre persona kanë rënë në pranga në Tiranë dhe një tjetër vijon të jetë në kërkim për një rast të rëndë rrëmbimi dhe dhune me qëllim përfitimin financiar. Sipas njoftimit zyrtar, tre personat dyshohet se kanë marrë me forcë një 32-vjeçar më 31 mars të këtij viti, duke e transportuar në një ambient privat në Xhafzotaj, ku e kanë mbajtur për disa orë nën kërcënim dhe dhunë fizike, me synim për t’i marrë një shumë parash. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë nga viktima.