Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski përmendi gjatë fjalës së tij në një panel të Forumit Botëror Ekonomik në Davos situatën e brishtë në Ballkanin e Perëndimor, mes tensioneve që ngrenë krye herë pas here. Ai foli për rrezikun që i kanoset rajonit nga ana e Rusisë, duke evidentuar dy pikat më të nxehta ose më të brishta aty: Është Republika Srpska brenda Bosnjë e Hercegovinës dhe Veriu i Republikës së Kosovës. Kremlini, tha Pendarovski, përmes propagandës e sidomos lajmeve të rreme përpiqet që të krijojë tensione në rajon. Pendarovski shtoi se duhet pasur kujdes për këtë situatë, si aleancë perëndimore, si aleancë e NATO-s, sepse, sipas tij pika e ashtuquajtur e butë në arkitekturën e sigurisë paneuropiane tani, përveç Ukrainës, është Ballkani Perëndimor.