Partia Demokratike ka përshëndetur qëndrimin e Komisionit Europian në lidhje me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres, Belinda Balluku. Përmes një deklarate të nënkryetarit të saj, Luçiano Boçi, PD vlerëson dhe falenderon Komisionin Evropian për qëndrimin e qartë dhe parimor në mbrojtje të sundimit të ligjit dhe pavarësisë së drejtësisë në Shqipëri. “KE kërkon pa ekuivok që Kuvendi pa vonesa të adresojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Ky qëndrim vjen në një moment kritik, kur Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur përballjen politike me institucionet e reja të drejtësisë për të mbrojtur veten dhe kur mazhoranca po zvarrit qëllimisht kërkesën për heqjen e imunitetit në rastin e Belinda Ballukut. Këto veprime nuk janë thjesht devijime politike, sipas përmbajtjes së deklaratës së KE, por goditje të drejtpërdrejta ndaj frymës dhe thelbit të reformës në drejtësi”, thuhet në deklaratën e opozitës. Sipas PD, rikujtimi nga Komisioni Europian se lufta kundër korrupsionit dhe respektimi i procedurave kushtetuese, janë kushte thelbësore për integrimin evropian, është një sinjal i fortë dhe i domosdoshëm dhe i ardhur në kohën e duhur.